Ballina LAJME Pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit

Pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit

Shoqata Çamëria dhe PDIU kanë zhvilluar pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit, në Konispol, në kuadër të 75-vjetorit të Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Mijëra shqiptarë të Çamërisë, por edhe qytetarë të tjerë, kanë bërë homazhe në Varrezat e Kllogjerit, në vendin ku humbën jetën më shumë se 2900 çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre. Në këtë pelegrinazh ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, kryetari i Shoqatës Çamëria Dritan Sejko, Aqif Rakipi, Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda, deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu dhe kryetari i Shoqatës Çamëria në Kosovë, Nexhmi Muqiqi.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u shpreh se shqiptarët e Çamërisë nuk kanë harruar Genocidin që ndodhi ndaj tyre, prandaj edhe sot janë akoma më të fortë. Z.Idrizi theksoi se shqiptarët e Çamërisë jetojnë në Shqipëri, por mendjen dhe zemrën e kanë në Çamëri.

“Fatkeqësia më e madhe për ne do të ishte harresa, sepse nuk ka komunitet të madh apo të vogël. Nuk ka popull të vogël apo të madh. Ka komunitet, i cili ose dorëzohet para padrejtësisë, nuk lufton dhe është i destinuar të zhduket, ose ka si ne shqiptarët e Çamërisë që ky 75-vjetor tregon se jo vetëm nuk jemi asimiluar, por kemi 75 vjet që luftojmë dhe do të luftojmë, deri sa të ngelet çami i fundit i gjallë. Kjo është forca e komunitetit tonë, që duket sikur padrejtësia ka ndodhur dje. Harresa është me e keqe se sa morti, prandaj tani që ka kaluar 75 vjet, duket sikur krimi shtetëror grek ndaj një popullsie të pambrojtur, ka ndodhur dje. Prindërit tanë, gjyshërit tanë, nuk lejuan kurrësesi që ne të na pllakoste harresa. Duhet të plotësojmë amanetin e të parëve, drejtësi për Çamërinë. Ne punojmë dhe jetojmë në Shqipëri, por ne e dimë shumë mirë që kokën e kemi në Çamëri, aty ku janë shtëpitë, trojet dhe tokat tona, që presin të zotët e tyre. Edhe prindërit dhe gjyshërit tanë kur ikën nga Çamëria, kokën e mbajtën pas. Nuk thanë dhe nuk themi kurrrë “Lamtumirë Çamëri”. Jo! Ne gjithmonë do të themi “Pritna nëna jonë Çamëri”, se i ke të zotët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që rreh zemër shqiptari. Kur të parët tanë, prindërit dhe gjyshërit u nisën dhe morën rrugën për në Shqipëri, të detyruar nga Genocidi, ata gjatë gjithë kohës e mbanin kokën pas. Kush ka shkuar në Çamëri ka parë që ajo tokë është e etur për të parët e saj. Kush ka shkuar në Çamëri ka parë shtëpi të rrënuara, toka të lëna pa punuar, ullinj  shekullor që presin të zotët e tyre. Çdonjëri prej nesh që ka shkuar në Çamëri, ka kërkuar shtëpinë etij, ashtu siç ja ka treguar nana apo gjyshi dhe i kemi gjetur, sepse ato janë shtëpitë tona”, – tha Idrizi.