Ballina Aktualitet PD, Vokshi: Modeli qeverisës i Edi Ramës duhet të marrë fund

PD, Vokshi: Modeli qeverisës i Edi Ramës duhet të marrë fund

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare (LDGSH), Albana Vokshi, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në veri të vendit tha se modeli qeverisës që kryeministri Edi Rama promovoi që në ditën e parë të qeverisjes së tij, duhet të marrë fund.

Duke e cilësuar si strategji të Edi Ramës për të lënë në prapambetje shqiptarët, duke u mbyllur shkollat, mbyllur bizneset, lënie pa ndihmë ekonomike, Vokshi theksoi se këto janë manovra të një njeriu që planifikon t’i blejë në fund shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme:

“Këtë Edi Rama e ka bërë sepse do që t’i lërë në varfëri të tejskajshme që kur të vijnë zgjedhjet ajo familja që nuk i jep dot fëmijëve për të ngrënë ta detyrojë që të shesë votën për pak lek. Do të çojë bandat kriminale. Me paratë e krimit dhe të drogës ai do të mundohet që t’i blejë qytetarët dhe të ruajë karriken e pushtetit”.

Data 15 shkurt u theksua nga Vokshi si dita e fundit ku presim që Edi Rama të largohet, ose përkundrazi, tha ajo, jemi ne që duhet të marrim fatet tona e të fëmijëve tanë në dorë.