Ballina Aktualitet PD, turi “Rrugëtimi për Shqipërinë” i Bashës, programi për rininë dhe arsimin

PD, turi “Rrugëtimi për Shqipërinë” i Bashës, programi për rininë dhe arsimin

Kryedemokrati Lulzim Basha e nisi turin e takimeve me të rinjtë e Elbasanit, me premtime për arsimin dhe frenimin e emigracionit. Teksa iu është përgjigjur disa prej shqetësimeve të të rinjve të pranishëm në takim, kreu i Partisë Demokratike premtoi se do të frenonte emigrimin e të rinjve, duke u përmirësuar kushtet në vendin tyre. Duke bërë të njohur programin e PD për rinië dhe arsimin, Basha premtoi se do të rimbursonte 100 përqind tarifën e studimit për studentët, të cilët vijnë nga familjet me të ardhura mujore nën 64 mijë lekë në muaj, ndërsa për studentët që vijnë nga familjet me të ardhura mujore mbi 64 mijë lekë në muaj rimbursimi do të ishte 50 përqind.

“Për ne, prioriteti numër një është rimbursimi i tarifave, – deklaroi lideri demokrat. – Çdo student nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë në muaj do të përfitojë rimbursim 100 përqind nga tarifa e buxhetit të shtetit me PD nesër në pushtet. Për studentët që vijnë nga familje me mbi 64 mijë lekë të ardhura në muaj do të përfitohet 50 përqind e tarifës përsëri nga buxheti i shtetit.”

“Do të orientojmë universitet publike drejt tregut, – vijoi më tej Basha. – Në të gjitha degët, ne do të zbatojmë modelin gjerman të trajnimit të dyfishtë, gjysma e kohës do të shpenzohet në auditorët e universitetit, gjysma tjetër praktikë pune.”

Në fjalën e tij, kreu i PD tha se prioritet kryesor mbetet ndryshimi i modelit ekonomik. Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka ndjekur politika kundër përthithjes së investimeve të huaja. Për të konfirmuar akuzën, Basha mori shembullin e Serbisë, e cila aplikon taksën e sheshtë dhe vetëm vitin e kaluar hapi 40 mijë vende të reja pune ndërkohë që, sipas liderit të PD, Shqipërisë në vitin 2018 i ikën 38 mijë të rinj.