Ballina Aktualitet PD, skandali i përgjimeve, Alibeaj: Rama mbron kriminelët për të mbrojtur pushtetin...

PD, skandali i përgjimeve, Alibeaj: Rama mbron kriminelët për të mbrojtur pushtetin (VIDEO)

Partia Demokratike deklaron se largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin dhe çliruar zgjedhjet nga pengmarrja e krimit. Një ditë pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane Bild, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha para mediave se kur bëhet fjalë për pushtetin, Rama, në vend të jepte dorëheqjen, mbron Dakon dhe kërcënon.

“Pas skandalit të publikuar nga Bild, ku del në dritë mekanizmi i blerjes së votave nëpërmjet krimit dhe drejtuesi i fushatës së PS është një trafikant droge, të gjithë presin dorëheqjen e Edi Ramës, – tha Alibeaj. – Por, kur bëhet fjalë për mbajtjen e pushtetit, Rama është i paparashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë. Kryeministri i ardhur në pushtet me votat e krimit jo vetëm nuk po konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Dakos, duke kërcënuar këdo. Edi Rama i mbron kriminelët e tij brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin.”