Ballina Aktualitet PD, kryetari Basha: Rama i trembet ndërkombëtarëve, nuk e njohim opozitën parlamentare

PD, kryetari Basha: Rama i trembet ndërkombëtarëve, nuk e njohim opozitën parlamentare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama “i trembet ndërkombëtarëve”. Deklarata e kryeopozitarit Basha u bë gjatë një interviste dhënë sot gazetares Fjorela Beleshi të RTV Ora, ndërkohë që më herët, duke folur nga Nju Jorku ku gjendet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kryeministri Rama kishte deklaruar se “strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë.”

“Nuk është për t’u habitur që jo për herë të parë, as për herë të dytë, por vazhdimisht ai refuzon përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kjo krizë e thellë politike, përfaqësuese, kushtetuese dhe ekonomike, – tha Basha. – Por as vëmendja dhe as problemi ynë nuk është tek ajo që thotë Edi Rama. Si opozitë jemi terësisht të fokusuar për të ndërtuar rrugën e daljes nga kjo krizë. Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjslative. Pjesa më e madhe janë ato që thotë OSBE/ODIHR, vullneti politik, ndëshkimi i personave që janë kapur duke vjedhur dhe blerë votat në bashkëpunim me krimin, ndërtimi i një administrate zgjedhore që nuk është nën kontrollin qeveritar.”

Njëkohësisht, lideri demokrat ka shtuar se ai nuk e njihte opozitën parlamentare.

“Ka vetëm një opozitë, opozita politike e vendit. Parlamenti monist me pseudokomisione dhe pseudoopozita të financuara, të mbështetura dhe keqëpërdorura nga Edi Rama nuk përfaqësojnë asgjë veç veten e tyre,” – ka nënvizuar Basha.