Ballina Aktualitet PD, kreu Basha: Vendi në krizë të trefishtë

PD, kreu Basha: Vendi në krizë të trefishtë

Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me shoqatat e bizneseve dhe sipërmarrësve në vend për prezantimin e shtyllave kryesore të programit politik të saj.

Gjatë fjalimit të tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha se vendi ndodhet në një krizë të trefishtë, siç është ajo ekonomike, politike dhe psikologjike, ndërsa qeverisja i është dorëzuar krimit dhe oligarkëve.

Basha paralajmëroi institucionet financiare të mos mbështesin sipas tij piramidën e re financiare 1,5 miliardë dollarëshe që po vë Rama në zbatim.

“Koha që kemi zgjedhur sot mund të duket pak e çuditshme, pasi dje patë se si parlamenti u përfshi nga batareja dhe vulgariteti i një njeriu që s’ka ç’ofron më si kryeministër. Natyrisht që biznesit po i ofron zgjedhë dhe taksa të larta. Arsyet e vulgaritetit janë një dhe vetëm një, edhe mediat prestigjioze po tregojnë rrënjët e së keqes, që në Shqipëri ka një qeveri që nuk ka buruar nga vota. Këtë mundohet të fshijë Rama nga diskursi politik me një sjellje rrugaçërore. Gjendja e ekonomisë, punësimit, sipërmarrjes dhe mirëqenies së shqiptarëve, pas gati 6 vitesh të qeverisjes së Edi Ramës, është në prag kolapsi,” – u shpreh kryedemokrati në një pjesë të fjalimit të tij.