PD, konstituimi i SPAK: Mbështetje funksionimit të pavarur të kësaj strukture

0
3

Pas betimit para presidentit Ilir Meta të tetë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vjen edhe reagimi zyrtar nga Partia Demokratike, e cila “mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.”

Përmes një deklarate, Partia Demokratike ka përshëndetur fillimin e punës së SPAK, ndërsa thekson se tani është momenti që “prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar.”

“Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre në të shkuarën, – thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. – Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.”

Njëkohësisht, në deklaratën e saj, Partia Demokratike falenderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës “për ndihmën e dhënë deri më tani për bërjen funksionale të SPAK dhe për gatishmërinë e treguar për të vijuar mbështetjen për funksionimin e pavarur të SPAK.”