PD i bën apel qeverisë: Jo lëvizje me orare, por karantinë totale! Miratoni paketën social-ekonomike

83

Partia Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të lëvizur me orare në orën 8:00 dhe 16,17:00 duke u shprehur kundër këtij vendimi të qeverisë Rama. PD ka bërë apel për një karantinë totale 14 ditore dhe për shpërblim të bizneseve dhe të qytetarëve.

Ja çfarë thuhet në deklaratën për media të Partisë Demokratike:

“Partia Demokratike ka përkrahur çdo masë agresive kundër përhapjes së koronavirusit, por vendimi i fundit i qeverisë virtuale të Edi Ramës për qarkullimin e makinave nuk i shërben këtij qëllimi.

Lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës. Është një vendim që tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj”, thuhet në njoftimin e PD.

Më tej ajo thekson se, “Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet! Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë”.

Partia Demokratike vlerëson se për shkak të situatës së krijuar, karantina totale, për një periudhë 14 ditore fillimisht, është një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të virusit dhe për të vlerësuar përmasat e përhapjes së tij nga ekspertët.

“Në kushtet kur qeveria nuk përmbush detyrimin ligjor që të dezinfektojë rrugët, parqet apo pallatet, qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur. Kjo masë duhet të shoqërohet menjëherë me miratimin nga qeveria të paketës së masave për pasojat social-ekonomike të krizës. Është koha që Edi Rama të mos kërkojë sakrifica vetëm nga qytetarët”.

Sipas PD, “Për të përballuar qendrimin e qytetarëve në shtëpi, shteti duhet të rimbursojë të plotë pagën e tyre. Në vend që të bëjë mjekun, sanitarin, policin apo ushtarin, Edi Rama duhet të bëjë tani Kryeministrin! Të miratojë paketën social ekonomike, që përfshin, ndër të tjera:

1.Riimbursimin e bizneseve

2.Rimbursimin e pagës së punonjësve

3.Ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë