Ballina Politikë PD, deputeti Hasa: Heshtja nuk mbulon krimin elektoral të Dakos

PD, deputeti Hasa: Heshtja nuk mbulon krimin elektoral të Dakos

Pas një sërë akuzash nga Partia Demokratike drejtuar kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, ditën e sotme ka reaguar edhe deputeti Endri Hasa.

Endri Hasa tha se heshtja prej ditësh edhe me censurë mediatike nuk mbulon krimin elektoral të Vangjush Dakos dhe se kryetari i Bashkisë së Durrësit duhet të ndëshkohet me burg për bashkëpunimin me organizatën kriminale të bandës së Avdylajve, për blerjen e votave në shërbim të qeverisë.

“Kalimi i ditëve dhe mbulimi i tyre me heshtje dhe me censurë mediatike nuk i zvogëlon përmasat e skandalit dhe krimit elektoral, ku është përfshirë Vangjush Dako. Në Dosjen 339 ndodhen qindra faqe me përgjime që vërtetojnë përdorimin prej organizatës kriminale “Rilindja” të bandës së Avdylajve në Durrës e Shijak për blerjen e votave, në këmbim të favoreve shtetërore. Vetë kreu i bandës Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge, shpalli ortakërinë mafioze, kur pranoi publikisht se “I zgjidhte hallet me Vangjush Dakon dhe Partinë Socialiste”. Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte arrestuar brenda ditës uzurpatorin e bashkisë së Durrësit, jo vetëm prej dëshmisë publike të Avdylajt, por edhe për shkak se lënia e Dakos në krye të bashkisë së Durrësit, shton mundësitë e prishjes së provave, si dhe të intimidimit të dëshmitarëve,”- u shpreh më tej deputeti Hasa.