Ballina Aktualitet PD, deklaron Kreshnik Çollaku: Zgjedhjet e 30 qershorit, pseudogarë dhe krim elektoral...

PD, deklaron Kreshnik Çollaku: Zgjedhjet e 30 qershorit, pseudogarë dhe krim elektoral (VIDEO)

Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka denoncuar vrullin e mazhorancës për t’i organizuar zgjedhjet vendore pa pjesëmarrjen e opozitës. Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve më 30 qershor do të ishte pseudogarë dhe krim elektoral.

Çollaku u shpreh se, sipas sondazheve të opozitës, Erion Veliaj është një humbës i madh, “prandaj dhe ka frikë nga gara me kandidat përballë.” “Sot ka më shumë reklamë, por ka edhe më shumë varfëri, ka më shumë taksa, ka çmime më të shtrenjta, ka më pak biznese, duke detyruar njerëzit të vuajnë varfërinë,” – ka theksuar më tej Çollaku.

Duke iu drejtuar dyshes Rama-Veliaj, Çollaku nënvizoi se “ata po shkojnë drejt krimit elektoral sepse ata mund të fitojnë vetëm me pseudogara.” Për këtë arsye, Çollaku ka përsëritur ftesën drejtuar qytetarëve për të qenë të pranishëm në protestën 8 qershorit.