Ballina Aktualitet PD, Basha për përgjimet: Krimi i dha Ramës fitore me vota të...

PD, Basha për përgjimet: Krimi i dha Ramës fitore me vota të blera

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar përsëri sot qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për lidhjet e tyre të forta me krimin. Gjatë një komunikimi të gjërë me mediat nga selia blu, lideri i opozitës ka theksuar se, në zgjedhjet e vitit 2017, bandat kriminale më të njohura në vend, të cilat erdhën në pushtet së bashku me kryeministrin Rama, i kishin siguruar këtij të fundit deri në 15 mandate me vota të blera.

“Sot, falë këtyre përgjimeve, mund të themi se krimi i ka siguruar Ramës 10 deri në 15 mandate përmes blerjes së votës,” – ka thënë Basha.

Gjatë deklaratës së tij, kreu i Partisë Demokratike tha gjithashtu se përgjimet kanë nxjerrë në dritë faktin që kriminelë të grupeve të ndryshme të rrezikshme kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të Partisë Socialiste apo edhe të të zgjedhurave të saj, siç janë kryebashkiaku durrsak Vangjush Dakos apo deputetë të ndryshëm të mazhorancës.

Sipas Bashës, që në momentin që Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të fituar zgjedhjet, në Shqipëri mori fund çdo lloj procesi politik.