Ballina Aktualitet PD, Basha në Maliq: Oligarkët e konsiderojnë Shqipërinë si çifligun e tyre

PD, Basha në Maliq: Oligarkët e konsiderojnë Shqipërinë si çifligun e tyre

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sot gjatë një takimi me banorët në Maliq, bashkëbisedoi për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë, e cila mbështetet në 3 shtylla kryesore si subvencionet direkte, investimet në infrastrukturë dhe mbrojtja e prodhimit vendas me tarifat doganore.

Pjesë e alternativës qeverisëse të opozitës është edhe rritja e pensioneve, paratë për të cilat do të gjenden tek dhënia fund e abuzimit me tenderat që vetëm vitin e kaluar llogariten në rreth 500 milionë euro dhe duke bërë një krahasim me fondet që parashikon buxheti 2019 vetëm për një grusht koncesionesh korruptive në pronësi të qeverisë, apo klientë të saj, Basha tregoi edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

Kryetari i opozitës i ftoi banorët e Maliqit t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur që vendin të mos e qeverisë pakica, por shumica reale e këtij vendi që përkrah projektet konkrete të opozitës për zhvillimin e vendit.

“Asgjë prej këtyre nuk mund të vijë pa një rotacion politik, pa një transformim total, që është po aq i nevojshëm sot sa para 30 vitesh. Para 30 vitesh kishim 13 anëtarë të Byrosë Politike që nuk mendonin për njerëzit, por mendonin vetëm për veten e tyre. Edhe sot kemi 5 banditë, 5 oligarkë dhe 5 politikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Para 30 vitesh ata e kishin bërë Shqipërinë kopësht zoologjik të stalinizmit. Edhe sot këta 15 banditë e oligarkë e konsiderojnë gjithë Shqipërinë çifligun e tyre,”- u shpreh më tej kryetari i PD.