Ballina LAJME PD, Basha kërkon arrestimin e Vangjush Dakos

PD, Basha kërkon arrestimin e Vangjush Dakos

Lideri i opozitës Lulzim Basha, teksa i është referuar deklaratave në media të kryebashkiakut durrsak Vangjush Dako, ka deklaruar se mosarrestimi i tij është “vdekje e drejtësisë.”

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, kreu i Partisë Demokratike dhe i opozitës ka vënë në dukje faktin se përgjimet telefonike të publikuara nga mediat tashmë rezultojnë të vërteta, pasi kreu i Bashkisë së Durrësit nuk mohoi telefonatat që ai kishte pasur me personat e arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

“Mosarrestimi i Vangjush Dakos edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht se ka bashkëpunuar me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë,” – ka thënë Basha sot në llogarinë e tij në Twitter.

Në këtë mënyrë, Basha ka kërkuar që Dako të merret i pandehur pasi, sipas Bashës, ai tashmë ka pranuar faktin se ka bashkëpunuar me krimin për dhunimin e zgjedhjeve.