Ballina Aktualitet Pastrim parash, arrestohet në Rinas kunati i dy vëllezërve indianë

Pastrim parash, arrestohet në Rinas kunati i dy vëllezërve indianë

Një shtetas Indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e pastrimit të parave është arrestuar nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin e tij.

Shtetasi Indian Hitesh Patel, 59 vjeç lindur në Indi dhe banues në Nigeri është ndaluar në Aeroportin “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Interpol Tirana.

“Interpol Tirana në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rinas arrestuan provizorisht shtetasin indian me inciale H. P., në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi. Gjykata Patiala House/New Delhi, ka lëshuar urdhër arresti ndaj 59-vjeçarit për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave,”-raporton policia.

Mësohet se Patel është i afërmi i dy vëllezërve indianë, Nitin dhe Chetan Sandesara të kërkuar për pastrim parash në Indi në vlerën e 725 milionë dollarëve.

Sipas mediave indiane 59 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 11 mars. Për këtë rast Gjykata e New Delhi ka kërkuar shpalljen në kërkim ndërkombëtar për 4 persona për ‘krim ekonomik”

Mësohet se dy prej tyre kanë përfituar pasaportën shqiptare dhe po zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri, madje po ndërtojnë në jug të vendit.

Dy vëllezërit, Sandesara, kanë qenë pronarë të kompanisë farmaceutike Sterling Biotek përgjatë viteve 2008-2011. Ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetëre të Indisë. Këto para më pas janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.