Pas vetëvrasjes së dytë, spitali COVID2 shpreh ngushëllime e jep detaje për ngjarjen

30

Spitali “Shefqet Ndroqi”, siç njihet ndryshe ish-Sanatoriumi reagon pasi një pacient i dha fund jetës mbrëmjen e djeshme, duke u hedhur nga kati i katërt.

Në deklaratën zyrtare thuhet se stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M., i cili i dha fund jetës dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira.

“65-vjeçari ishte shtruar 24 orë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit. Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”, thuhet në deklaratë.

Ky reagim pasi mbrëmjen e së mërkurës 65-vjeçari Hasan Mira, u hodh nga kati i katërt i spitalit.

Ndërkohë rasti i parë është ai i 29-vjeçarit Xhino Koça nga Durrësi, i cili dha fund tragjikisht jetës mëngjesin e 13 gushtit, duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit “Shefqet Ndroqi” ku ndodhej i shtruar prej 4 ditësh pasi ishte prekur nga koronavirusi.