Ballina Aktualitet Pas përjashtimit të Murrizit reagon Spiropali: Teatër i madh dëshpërimi nga frika...

Pas përjashtimit të Murrizit reagon Spiropali: Teatër i madh dëshpërimi nga frika e humbjes së zgjedhjeve

Përmes një videoje, ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali,  ka komentuar vendimin e PD-së për të përjashtuar deputetin Myslym Murrizi, për shkak se ky i fundit nuk u bashkua me pjesën tjetër të deputetëve që dogjën mandatet.

Sipas Spiropalit frika prej zgjedhjeve të ardhshme dhe përballja me reformën në drejtësi kanë ndikuar në sjelljen e opozitës, të cilën ajo e konsideron një teatër të madh.

“Dje, kolegu Myslym Murrizi e përmblodhi në një fjali të gjithë thelbin e logoresë së ish-kolegëve opozitarë: U nisën të rrëzojnë Ramën dhe më rrëzuan mua!

Për të vajtuar me kujë e për të qeshur me lot, ky teatër i madh dëshpërimi nga pafuqia për të fituar zgjedhjet e radhës dhe frikë nga pjella e mallkuar e reformës në drejtësi, prokuroria speciale antikorrupsion! E cila pasi u del ne ëndërr qyshse u detyruan të votojnë reformën, u është bërë hije tani që i erdhi ora te lindë prej vërteti…

Patjetër që nuk është një e mirë për demokracinë e për parlamentarizmin arratia e plakut me djalin dhe krushqit e kunatit nga detyra e deputetit. Por jo vetem s’është fundi i botës, po mund të jetë mundësia e madhe e pastrimit të politikës nga kasta e një partie që lindi si alternativa demokratike e Shqipërisë dhe sot vjen vërdallë si fantazma e rrëmujës dhe shkatërrimit të Shqipërisë, ” – është shprehur ndër të tjera ajo.