Partizani në krizë, Teuta i shkakton humbjen e tretë radhazi. Fiton Kukësi, Luftëtari dhe Bylis

0
2

Në orën 13:00 janë zhvilluar 4 nga 5 ndeshjet e javës së 16 të Superligës ku padiskutim përshtypje bën humbja e Partizanit me rezultatin 1-0 kundër Teutës në Durrës. Kampionët në fuqi janë mposhtur në Niko Dovana me gol të Kallakut në minutën e 44, duke marrë kështu humbjen e tretë radhazi.

Ndërkohë për Teutën kjo ishte rikthim te fitoret pikërisht në ndeshjen debutuese si trajner të Edi Martinit. Për t’u veçuar në këtë ndeshje ishin edhe 5 kartonët e kuq, ku katër, dy për Teutën dhe 2 për Partizanin u akorduan pas një sherri masiv të futbollistëve në mesfushë.

Kukësi ndërkohë vijon me fitoret radhazi pasi sot ia ka dalë me rezultatin 1-2 kundër Vllaznisë. Në Shkodër për ekipin e Duros realizuan Roca dhe Shkurtaj, ndërsa për Vllazninë golin e vetëm e realizoi Krymi.

Pas 12 javësh te fitorja është rikthyer Luftëtari që në Gjirokastër ka mposhtur 2-0 Skënderbeun, ndërsa fitore ka marrë edhe Bylis që kundër Laçit i ka mjaftuar goli Goxhajt për të marrë tre pikët.