Ballina LAJME Partia Demokratike kërkon arrestimin e Vangjush Dakos, Dosja “339”, makthi i Ramës

Partia Demokratike kërkon arrestimin e Vangjush Dakos, Dosja “339”, makthi i Ramës

Partia Demokratike ka kërkuar edhe njëherë arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, pasi sipas saj ky i fundit bashkëpunon me bandat.

Nga selia blu, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj pohoi se dosja 339 është makthi i Edi Ramës. Sipas Alibeajt, Dako shkëmbeu pasuri e pushtet me bandat.

“Nga momenti që skandali i vjedhjes së votave nga bandat kriminale në bashkëpunim me Vangjush Dakon, është bërë publik, heshtja ka mbuluar të gjithë ata të cilët, duhet të mbajnë përgjegjësi për vjedhjen e votave apo për hetimin gjykimin dhe burgosjen e krimit dhe të politikanëve të lidhur me krimin.

Me shpresën se ndonjë skandal tjetër do të dalë, që të mbulojë vjedhjen e votave, me shpikjen e dorëheqjeve të detyruara, me panikun që e ka kapur duke emëruar nëpunës të oborrit në krye të Ministrisë së Brendshme, me stisjen e gjasme konflikteve kushtetuese me kreun e shtetit, ndërkohë që Gjykatën Kushtetuese e rrënoi pikërisht ai, Edi Rama nuk po gjen qetësi, sepse makthi i dosjes 339 e përndjek ngado.

Dosja 339 është “gracka ku hajduti është kapur si laraska”. Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës

Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë, sepse faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg! Duhet te jete ne burg jo vetëm për këtë por edhe sepse çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.” kështu është shprehur para mediave deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.