Parlamenti shkarkon Metën, reagon PD: Kuvend monopartiak, Kushtetuta të ruajë paanësi

76

Partia Demokratike e cilësoi shkarkimin sot të Presidentit Ilir Meta si një sulm antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit të Republikës.

Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë, thekson PD në një qëndrim zyrtar që shpërndau pas votimit në Parlament.

“Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor”, thotë Partia Demokratike.

Ajo e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.