Ballina Aktualitet Paris, Shqipëria merr vlerësime nga UNESCO për trashëgiminë kulturore

Paris, Shqipëria merr vlerësime nga UNESCO për trashëgiminë kulturore

UNESCO ka vlerësuar punën që po bën Shqipëria në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, takim ky që u mbajt në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita “Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”.

“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë ministrja Kumbaro.

Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë.

Me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.