Ballina BOTA Paris, BE: Kina të angazhohet në reformimin e OBT-së

Paris, BE: Kina të angazhohet në reformimin e OBT-së

Komisionerja europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom i kërkoi sot Kinës që të angazhohet në krah të Europës në reformimin e OBT-së, përballë rreziqeve që SHBA-ja të imponojë sistemin e saj tregtar paralel.

“Kina ka fituar shumë nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe ne i bëjmë thirrje që të angazhohet në krahun tonë për ta reformuar dhe përditësuar këtë sistem për të krijuar barazi në kushtet e konkurrencës”, theksoi komisionerja gjatë një konference në Paris, me rastin e një takimi për reformimin e OBT-së.

“Në të kundërt, SHBA-ja do të krijojë rregullat e saj jashtë sistemit”, shtoi Malmstrom.
“Rregullat kanë nevojë të përditësohen. Kur i ideuam në vitin 1995, kishim në mendje një tjetër sistem ekonomik. Sot, ai nuk është më aktual”, vazhdoi ajo.

Pa e përmendur drejtpërdrejtë Kinën, komisionerja insistoi mbi nevojën për të ndryshuar praktika për të cilat është akuzuar shpesh herë Pekini, kryesisht nga SHBA-ja dhe BE-ja.