Ballina Kronikë Parfumi me dedikim “tradhtoi” skifterët në Francë, u gjet në Laç

Parfumi me dedikim “tradhtoi” skifterët në Francë, u gjet në Laç

Mos vidh nëse nuk di të fshehësh. Kjo shprehje popullore i përshtatet më së miri rastit të Alfons Përkolës, një prej tetë të arrestuarve si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kryente grabitje në Francë.

Gjatë bastisjes së një vile, anëtarët e bandës, vec të tjerash, morën edhe një parfum të personalizuar, pa e ditur se ai do të bëhej prova e fortë e institucionit të akuzës kundër tyre. Parfumi u gjet gjatë kontrollit në shtëpinë e Përkolës. Në shishen e tij ishte gdhendur urimi “Gëzuar Krishtlindjen”

Francezja Lambotte Dominique ishte në mesin e dhjetra personave që kishte denocuar vjedhjen e banesës së saj, nga persona të paidentifikuar.

“Kanë marrë lekët e vajzës tonë, të cilat gjendeshin në një kuti të vogël metalike të dhomës së saj, në bibliotekë një shumë prej 250 eurosh, si dhe një parfum ‘One Million Paco Rabane’, ku ishte shkruar emri i bashkëshortit tim “Ferdinand”. Ai gjendej në komodinën e dhomës tonë të gjumit. Shishja e parfumit ishte në dy ngjyra, gold dhe e zezë”.

Gruaja përshkruante se mbi shishen e parfumit ishte gërvishtur edhe një dedikim për të.

Sendi i vjedhur në shtëpinë e Dominique u gjet në Lac, në banesën e njërit prej të dyshuarve si anëtar i grupit kriminal.

Në pranga ranë 8 të dyshuar, pesë prej të cilëve në Francë, të gjithë pjesëtarë të familjes Kajtazi, ndërsa Alfons Përkola, Besnik Fufi dhe Aleks Marku u arrestuan në Shqipëri me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Nga hetimet e përbashkëta franko-shqiptare rezultoi se si bazë e bandës shërbente familja Kajtazi. Kjo e fundit u siguronte tre të dyshuarve banesën dhe mjetet për realizimin e grabitjeve.  Pasi kryenin bastisjet e shtëpive dhe lokaleve, tre të arrestuarit në Shqipëri, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, ku mori pjesë edhe gjykatësja franceze e hetimeve paraprake dhe disa oficerëve të policisë gjyqësore u gjetën dhe sekuestruan bizhuteri, mes tyre dhe një gjerdan me gurë cmuar, si dhe sende të tjera, me vlerë rreth 300 000 euro.

Hetimi zbuloi se përgjatë tre muajve të fundit të 2018, të ashtuquajturit “skifterë” kishin vjedhur me forcë rreth 70 apartamente në zonën e Nancyt. Autoritetet franceze po hetonin vjedhje në seri jo vetëm në rajonin e Francës, por edhe Belgjikë e Itali, kur ranë në gjurmët e të dyshuarve.

Ndaj këtyre të fundit, rëndojnë akuzat e vjedhjes në kuadër të grupit kriminal dhe pastrimit të parave.

Rezultatet e operacionit u bënë publike pak ditë më parë, në një konferencë të posaçme për median organizuar në Nancy nga kryeprokurori i rajonit, Fransua Peren ku ishte i pranishëm prokurori shqiptar i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.