Ballina BOTA Paqe mes Italisë dhe Francës

Paqe mes Italisë dhe Francës

Pas akuzave të presidentit francez Emmanuel Macron për qëndrim jo korrekt të zëvendëskryeministrit italian Luigi Di Maio, i cili doli hapur kundër tij e në krah të lëvizjes së ‘jelekëve të verdhë’, mesa duket situata e tensionuar mes Italisë dhe Francës është kther në paqe.

Plot një javë pasi Franca tërhoqi përfaqësuesin e saj më të lartë diplomatik në Itali, ambasadorin Christian Masset, sot ai pritet të rikthehet në Romë. Përcaktues në këtë vendim ka qenë biseda telefonike e zhvilluar pak orë më parë mes Presidentit italian Sergio Mattarella e homologut të tij francez Macron.

Një ditë më parë në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, ministri i Jashtëm francez Jean Yves Le Drian u shpreh se “prej disa muajsh Franca është objekt i sulmeve të përsëritshme dhe i akuzave të ekzagjeruar nga qeveria italiane, e konsiderojmë se miqësia mes Italisë e Francës është një e mirë e përbashkët që është e rëndësishme të ruhet.”

Lajmin për rikthimin e ambasadorit francez sot në Romë e ka bërë të ditur në një intervistë në radio RTL, ministrja franceze  për Europën Nathalie Loiseau.