Ballina Aktualitet “Pamë vdekjen me sy”, incident në avionin Prishtinë-Bazel

“Pamë vdekjen me sy”, incident në avionin Prishtinë-Bazel

“Një grua është dëmtuar shumë në kokë dhe ka pas gjakderdhje, ndërsa një pasagjer që ishte ulur afër meje pasi iu është këputur rripi i sigurisë ka fluturuar afër një metër”, thotë për albinfo.ch, Enver Hoxha, pasagjer në avionin e linjës Prishtinë-Bazel.

Enver Hoxha 36 vjeç nga Ferizaj, i cili jeton në kanton Bernë, së bashku me dy motrat dhe dhëndrin vetëm një ditë me parë kishin shkuar në Kosovë për një rast vdekje familjare. Ata ishin dëshmitarë të tmerrit që përjetuan të dielën në mbrëmje 121 udhëtarë në aeroplanin Boeing të kompanisë AKL Airlanes që po fluturonte nga Prishtina për në Bazel.

Nga turbulencat që ndodhën rreth gjysmë ore para uljes së aeroplanit në aeroportin e Bazelit, mbi dhjetë udhëtarë janë dërguar në spitalin e këtij qyteti.

Enver Hoxha, rrëfen në detaje rastin që ndodhi në aeroplan: “Jemi lindur për të dytën herë”, thotë ai. “Kanë qenë momente kur e sheh vdekjen me sy. Kishte burra, gra dhe fëmijë. Frika na kishte kapluar të gjithëve. Kishte bërtitma të njerëzve dhe të qara”.

Enveri tregoi se aeroplani kishte turbulence të mëdha. Janë thyer mbrojtëset e karrigeve dhe shumë pasagjerëve iu janë këputur rripat e sigurisë.