Paloka e quan Ramën “regjisor sharlatan”, teksa e konsideron shfaqjen e tij në ndihmën e Italisë “telenovelë”

94

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka shpërthyer ndaj asaj që ai quan “telenovelë” të Ramës. Sipas Palokës Rama po përdor guximin e mjekëve dhe infermierëve të cilët shkuan duke përfaqësuar veten dhe vendin në Italinë e goditur keqazi nga Covid-19. Paloka denoncon faktin sesi Rama po përpiqet të bëjë “liderin botëror” në Europë teksa për vendin e vet nuk po bën asgjë, madje nuk po sqaron qytetarët në lidhje me menaxhimin e situatës në vend as për testet e as për ndihmat. Paloka e ka quajtur Ramën “regjisor sharlatan” teksa i bën apel atij të sqarojë mbi çështje delikate mbi të cilat mbylljen e fasoneve e call center.

POSTIMI I PALOKËS
Gjithçka në funksion të propagandës boshe, vetëm kryeministrin nuk e bën dot Edvini!
Për turpin e tij, Rama nuk kursen asgjë dhe asnjë, duke përdorur kohën më të keqe për shqiptarët në funksion të axhendës së tij politike.
Tani ka përfshirë në telenovelën e tij propagandistike dhe serinë ku qan hallet e shfaqet si shpëtimtar i Evropës…
Ka kaq kohë që njerëzit e shqetësuar duan të dine, po Rama nuk u thotë shqiptarëve asgjë që ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e tyre.
– Sa tamponë ka në dispozicion shëndetësia shqiptare për të testuar tëdyshuarit me corona virus?
– Si do ushqehen mijëra familje shqiptare që qeveria i ka përjashtuar nga pagesa?

Në vend që të merret me këto, në vend që të bëjë detyrën e tij si kryeministër i shqiptarëve, Rama ka gjetur momentin të shfaqet dhe një here si “lider botëror” e për këtë po përdor grupin kurajoz të mjekëve dhe infermierëve që pranuan të japin ndihmën e tyre për Italinë fqinje, në vështirësi serioze.
Tani sipas skenarëve politik të dalë boje të Ramës, shqiptarët në ditët në vijim do të vazhdojnë të dëgjojnë lajme për këtë “akt” historik e të padëgjuar, jo të mjekëve po të liderit dhe “shpëtimtarit” të botës mbarë (mos harroni që pak ditë më parë akuzoi dhe Presidentin e SHBA se i “kishte hapur derën armikut” )

Një ditë Rama do të japë intervistë, një ditë tjetër do të përdorë mesazhet prekëse të mjekëve. Në skenar do të ketë edhe lidhje direkte nga Italia me apo pa Bruno Vespën. Dikush (nuk ka rëndësi se kush) do propozojë që Ramës e jo mjekëve, t’i jepet ndonjë dekoratë nga shteti italian e të tjera skena që nuk i kemi për herë të parë. E gjitha kjo vetëm që ndërkohë të mos flitet për problemet dhe vështirësitë ku gjenden shumica e qytetarëve shqiptare.

Turp për këtë regjisor sharlatan që nuk heq dot dorë nga veset e tij.
Turp që sot kur fshat digjet, kryeministri krihet.

Edi Rama duhet ta ndalë menjëherë këtë shfaqje të turpshme. Të kthehet me këmbë në tokë para se të jetë vonë për shëndetin dhe ekonominë e familjeve shqiptare.

– T’u japë përgjigje njerëzve; sa testime bëjmë dhe për sa kohë kemi rezerva?
– Kush do ta marrë ndihmën financiare dhe kur?
– Kur do t’i mbyllë fasonët dhe call center?
Masat e marra në kohë sot shpëtojnë jetë dhe lehtësojnë krizën!

Paloka Fb