Ballina Aktualitet Pakti për Universitetin, Manastirliu: Trajnime jashtë vendit për studentët e Mjekësisë

Pakti për Universitetin, Manastirliu: Trajnime jashtë vendit për studentët e Mjekësisë

Eshtë rikthyer grupi i parë i studentëve të Mjekësisë nga trajnimi jashtë vendit për përditësimin e dijeve në fushën e sëmundjeve infektive.

Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Global studentët ishin në Zagreb, trajnim i cili do pasohet edhe nga të tjerë.

Kështu ka bërë me dije Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila zhvilloi një takim me studentët e sapo kthyer nga trajnimi, ku ata prezantuan eksperiencën e fituar gjatë trajnimit për “Kontrollin e Epidemisë HIV”, që u zhvillua në Qendrën Bashkëpunëtore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Informacion Strategjik mbi HIV në Kroaci.

“Kemi mundësuar që nëpërmjet këtij projekti të mbështesim studentët dhe universitetin. Ky është trajnimi i parë, që do pasohet nga të tjerë, në mënyrë që studentët të marrin sa më shumë njohuri që në kohën e studimit. Ky është një angazhim i realizuar në kuadër të paktit për universitetin, i cili nuk është një destinacion, por një proces në vijim”, u shpreh Manastirliu në takimin e zhvilluar nga Universiteti i Mjekësisë, ku morën pjesë dhe drejtues të Universitetit dhe mjekë të fushës.

Në bashkëpunim me Fondin Global që po mbështet projektin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajnimin e studentëve të Mjekësisë, do të rishikohen edhe kurrikulat e studentëve të Mjekësisë.

“Do rishikohen kurrikulat për t’u përditësuar me risitë dhe këto përmirësime që do të jenë të qëndrueshme në kohë, do t’ju shërbejë edhe studenteve të brezave të ardhshëm”, u shpreh Manastirliu.

Një tjetër anagazhim në kuadër të Paktit për Universitetin është programi i praktikës klinike, që tashmë është i hapur për çdo student, në portalin ‘Mjekë për Shqipërinë’.

“Kemi ndjekur ato linja që vetë studentët I kanë kërkuar, siç është punësimi transparent dhe veçanërisht praktikat klinike. Portali ‘Mjekë për Shqipërinë’ rrit transparencën dhe krijon një databazë për kërkesën dhe ofertën në tregun shëndetësor. Por me këtë portal, ne adresuam edhe një nga shqetësimet kryesore të studentëve të Mjekësisë, për kryerjen e praktikave klinike që do të njihen si eksperiencë pune”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, në kuadër të Paktit për Universitetin, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nënshkruar një marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë, ku ka marrë përsipër të mbështesë studentët dhe pedagogët për ndërtimin e Qendrës së Biosimulimit Klinik dhe Qendrës së Trajnimit e Edukimit në vazhdim dhe testimit të njohurive, për të cilën është ngritur tashmë një grup pune që po bashkëpunon dhe me universitetin, për të hartuar specifikimet teknike të projektit të kësaj qendre multifunksionale.