Pagesa deri në 3 mijë euro, arrestohen dy punonjësit e portit të Durrësit që trafikonin njerëz! Nën hetim edhe një polic

0
2

Dy punonjës të portit të Durrësit janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA), si dhe një polic është vënë në hetim për shkak se akuzohen për trafikim të personave të ndryshëm nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit.

Në pranga kanë rënë B.D., 44 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë punonjës në Zonën e Terminalit, i një shoqërie të kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës, T.D., 28 vjeç me banim në Durrës, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, i cili ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme.  Ndërsa nën hetim është vënë V.C., 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës.

Sipas policisë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se trafikonin nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit, shtetas të ndryshëm me probleme në zonën Shengen, kundrejt pagesave të konsiderueshme deri në 3.000 euro.

Konkretisht 44-vjeçari, B.D kishte rolin e sekserit, organizonte dhe ndërmjetësonte me punonjës policie, duke krijuar kushte për kalim të paligjshëm të personave me probleme në zonën Shengen. Në cilësinë e provës materiale në momentin e arrestimit, iu sekuestrua vlera prej 1.300 euro, vlerë e përfituar nga kalimi i paligjshëm i shtetasit. Ndërsa T.D, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme. Atij iu kapën dhe sekuestruan 500 euro.

Ndërkohë hetimi vijon për zbulimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.