Ballina Aktualitet OSHEE, Çela: Plani i masave për festat e fundvitit

OSHEE, Çela: Plani i masave për festat e fundvitit

Kompania OSHEE ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të festave .Sipas udhëzimit të Administratorit të OSHEE, Adrian Çela, për sigurimin e furnizimit me energji elektrike janë angazhuar në terren brigada pune me punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE në vend.

Gjatë një dalje për mediat, Administratori i OSHEE u shpreh se strukturat e kompanisë do të zbatojnë planin e masave që aplikohen në çdo periudhë kur pritet fluks ngarkese në rrjet, siç është sezoni veror. Në të gjitha rajonet e vendit janë vendosur në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit për të raportuar çdo defekt që do të ndodhë në zonat e tyre të banimit.

Po ashtu, drejtoritë rajonale të OSHEE janë pajisur me bazë materiale të domosdoshme si kabëll, izolatorë, përcjellës, të cilët do të shërbejnë për eliminimin sa më shpejt të çdo avarie që mund të ndodhë në rrjet.

“OSHEE ka përgatitur një skemë për përballimin e ngarkesës së rrjetit, gjatë ditëve të festave.Kemi mbi 1500 punonjës në terren, të shpërndarë në grupe, çdo qytet ka publikuar hartat dhe numrat e emergjencës, që janë në shërbim 24 orë për qytetet të ndryshme të vendit.Risi e këtij viti, është se që pas çdo telefonate që do të vijë nga qytetarët për raportim defekti, qytetari do të rimerret në telefon pasi t’i jetë zgjidhur problemi për konfirmim,” – u shpreh Çela.