Ballina SLIDER 1 OSBE, studimi: Dhuna ndaj grave dominon shoqëritë në Shqipëri e Kosovë

OSBE, studimi: Dhuna ndaj grave dominon shoqëritë në Shqipëri e Kosovë

Sipas një studimi të fundit të OSBE, një raport i cili u prezantua ditën e djeshme në Bruksel mbi dhunën ndaj grave, rezulton se dhuna dominon shoqëritë në Shqipëri dhe Kosovë.

Të dhënat paraqiten në përgjithësi dhe disa nga to janë të ndara sipas shtetit. Në një të dhënë, ku Kosova dallon shumë nga rajoni është në pyetjen nëse femra e ka për obligim të kryejë marrëdhënie seksuale me partnerin e vet edhe kur nuk nuk ka dëshirë. Njëzet e gjashtë përqind të grave të anketuara në Kosovë kanë menduar se e kanë këtë obligim, përderisa mesatarja në rajon është 17 përqind, ndërsa në Shqipëri është 19 përqind.

Sa i përket arsyetimit të marrëdhënies seksuale pa miratimin e gruas për shkak të rrethanave të ndryshme edhe këtu Kosova dhe Shqipëria e mbajnë përqindjen më të lartë të “tolerancës”. Seksi pa dëshirë në martesë arsyetohet nga 25 përqind të grave të anketuara në Kosovë dhe 17 përqind në Shqipëri, sa është edhe mesatarja në rajon.

Përderisa sa i përket ndërhyrjes nga jashtë në familje në rast dhune, 62 përqind e grave të anketuara të Kosovës kanë thënë se të tjerët duhet të ndërhyjnë, në Shqipëri ky numër është 56 përqind, ndërsa mesatarja është 48 përqind.

Sipas raportit, gratë viktima që janë edhe të fajësuara për dhunën, mendojnë se gratë duhet të urdhërohen nga burrat dhe se dhuna familjare duhet të jetë çështje private.

Sipas të dhënave nuk ka asnjë grup social të grave që është i përjashtuar nga mundësia e përjetimit të dhunës mirëpo disa grupe janë më të rrezikuara, këtu bëjne pjesë gratë që jetojnë në varfëri, varësi ekonomike dhe gratë me fëmijë.