Organizonin lojëra fati, një i arrestuar, një në kërkim e dy persona nën hetim

47

Pas kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, policia tha se janë proceduar penalisht 4 shtetas, nga të cilët një i arrestuar në flagrancë, një i shpallur në kërkim dhe dy të tjerë në gjendje të lirë.

Njoftohet se pas kontrolleve në biznese dhe ambiente të ndryshme, policia në Korçë ka gjetur në lokalin e 29-vjeçarit L. P., 1 laptop dhe 6 tableta të cilat dyshohet se shërbenin për vënien e lotarive sportive.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve, bënë shpalljen në kërkim për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” shtetasin L. P.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë për veprën penale “Organizimi i lojrave të palejuara” 42-vjeçari Gj. Th., banues në Korçë, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Moskallëzimi i krimit”, ndaj 25-vjeçarit E. P., dhe 19-vjeçarit S. T.,banues në Korçë, të tre punonjës të këtij lokali.

Është sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje që shërbenin për lotari sportive.