Ballina RAJONI OKB, ambasadorja Çitaku: Kosova, e vendosur për të ngritur ushtrinë e vet

OKB, ambasadorja Çitaku: Kosova, e vendosur për të ngritur ushtrinë e vet

Ambasadorja kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka thënë para Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se “për themelimin e ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë.” “Themelimi i ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB,” – ka thënë ambasadorja Çitaku.

Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB, ambasadorja Çitaku kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucioni që t’i referohen vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është tashmë i pakthyeshëm.

Duke folur për dialogun me Beogradin, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por Serbia nga ana e saj ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë.