Nxori pistoletën për të ndarë sherrin, e pëson keq polici

22

Nxori pistoletën për të ndarë sherrin, nis hetimi për policin.

Dy persona janë vendosur nën hetim, mes tyre një efektiv i policisë së Korçës pasi janë përfshirë në një konflikt ditën e djeshme.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.17 në Korçë ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, 22-vjeçari me iniciale A.K. ka goditur me sende të forta 23-vjeçarin me iniciale E.Sh.

Ky i fundit u dërgua në spitalin e Korçës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa efektivi i policisë me iniciale E.J. 21 vjeç ka ndërhyrë në konflikt duke nxjerrë armën e shërbimit.

Sipas njoftimit të uniformave blu, efektivi nuk ka qenë në shërbim dhe nuk e ka raportuar konfliktin e ndodhur.

Policia bën me dije se Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) filluan procedimin penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin E. J., 21 vjeç, banues në Korçë (me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë).

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.