Nuk rrespektuan masat për parandalimin e COVID-19, gjobiten 4 biznese në Tiranë

112

Në vijim të kontrolleve për zbatimin të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Tiranë, janë zbuluar katër raste të shkeljes së protokolleve të sigurisë.

Për rrjedhojë janë ndëshkuar me nga 3.000.000 lekë gjobë tre persona dhe me nga 1.000.000 lekë një tjetër, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, kanë konstatuar dy ambiente në të cilët ushtrohej aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Efektivët e policisë kanë vendosur pronarëve të subjekteve, shtetasve Rr. Xh., dhe H. H., masën administrative 3.000.000 lekë secilit.

Gjithashtu, uniformat blu të Vorës, i kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë, H. I., pronar i një restoranti, pasi u konstatua duke zhvilluar ceremoni festive duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Nga ana e efektivëve të komisariatit Nr.5, u ndëshkua me masë administrative 3 milionë lekë, dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, subjektin me pronar shtetasi R.C., pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me Aktin Normativ.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.