Nuk ‘ndëshkonin’ me gjobë por u merrnin para shoferëve, arrestohen dy inspektorë policie në Tiranë

17

Janë arrestuar ditën e sotme dy inspektorë të Policisë në Tiranë pasi teksa ishin në shërbim me aparatin matës nuk ndëshkonin shoferët me gjoba sipas ligjit.

Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit me inicialet E.Ç dhe K.Ç të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndalonin automjete dhe nuk vendosnin gjoba në rast shkeljeje por merrin vlera monetare nga shoferët.

Njoftimi i Policisë:

Pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë për llogari të Proçedimit Penal Nr. 5333 të vitit 2021, regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe i aplikuar me metoda speciale të hetimit , u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore dhe arrestimi në flagrancë i punonjësve të policisë:- Inspektor E. Ç., me detyrë agjent verifikues/trup shërbimi në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.- Inspektor K. Ç., me detyrë agjent verifikues/trup shërbimi në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.Arrestimi i tyre u krye pasi këta punonjës policie, duke qenë me shërbim me aparatin shpejtësi matës (Radar) dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi ndalonin automjete, nuk i ndëshkonin ata me masa administrative sipas parashikimeve të nenit 140 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në shkëmbim të vlerave monetare Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe vlerat monetare të përfituara nga punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për evidentimin e të gjitha rasteve të ngjashme si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të policisë të përfshirë në këtë veprimtari.AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.