Ballina OPINION Një protestë opozitare e suksesshme është, para së gjithash, demokratike

Një protestë opozitare e suksesshme është, para së gjithash, demokratike

nga Preç Zogaj

Protestat që thërret opozita politike kanë një ndryshim me protestat që thërrasin sindikatat, shoqatat, grupet e interesit apo shtresat shoqërore të vetorganizuara.

Këtyre të fundit, edhe u njihet zakoni (por jo e drejta ligjore) për të kaluar masën me eksese që bëjnë bujë në shprehjen e pakënaqësisë dhe revoltës. Kurse opozita politike, sidomos ajo parlamentare, e ka kusht të parë të suksesit të saj natyrën paqësore dhe demokratike të protestës. Përdorimi i dhunës prej saj e dështon protestën. Askush në familjen e kombeve demokratike nuk e njeh një fitore politike të arritur me metoda antidemokratike. Të ardhmes së vendit nuk i vlen një fitore e tillë.

Në historinë e demokracisë sonë, protestat më të suksesshme kanë qenë ato që kanë bashkuar pjesëmarrjen e madhe, kohëzgjatjen domethënëse me karakterin demokratik e paqësor. Këto protesta e kanë vendosur qeverinë e radhës në kursin e rënies dhe opozitën në kursin e ngritjes, duke paralajmëruar rrotacionin me votë në zgjedhje. Protesta të tilla mund të çojnë edhe në dorëheqjen e qeverisë nëse protestat regjistrojnë një pjesëmarrje që e kalon dukshëm pjesëmarrjen e organizuar partiake dhe vijnë duke u rritur si një ortek nga dita në ditë, duke reflektuar bashkë me vullnetin e prekshëm popullor edhe një kontekst politik të jashtëm, që lë të kuptohet qartë apo edhe tërthorazi se miqtë e Shqipërisë, SHBA dhe BE, duan një zgjidhje politike në Shqipëri përpara se të vijnë zgjedhjet e radhës.

Protestat më të dështuara kanë qenë ato që janë thirrur me nxitjen e retorikave të tipit “populli mund ta kalojë opozitën e vet” apo “populli t’i japë fund vetë së keqes”, që janë të drejta si pohime mesianike apo teorike, por marrin kuptimin e nxitjes së akteve të dhunshme kur përdoren në një protestë të thirrur nga opozita politike, që përfaqëson një pjesë të qytetarëve dhe jo krejt popullin. Autori i këtyre radhëve është përballur disa herë gjatë tranzicionit me retorikën politike me dy tehe që spekulon me postulate të përgjithshme për të hedhur njerëzit në aventura. Për herë të fundit në prag të protestës së 21 janarit 2011. Edhe atëherë kishte plot skifterë, në skenë dhe prapaskenë, që hidhnin gurin e fshihnin dorën, që bënin paralele të sforcuara me pranverën arabe, që nuk ngopeshin me gabimet, dështimet, shkeljet konkrete të kundërshtarit, por i faturonin atij të gjitha të këqijat e botës dhe shekujve, që lexonin horoskopin e vërshimit të popullit të lirë në ndërtesën e Kryeministrisë, të cilën klisheja politike e falangave politike të partitokracisë e identifikon gabimisht me rrëzimin apo marrjen e pushtetit. Kaq e thjeshtë! Arsyeja e ka të vështirë me ektremistët dhe inatçorët. Është kohë e humbur dhe pa sens në thelb të bësh debat me ta. Vlerësimi i kundërshtarit në politikë është një çështje antropologjike e njohjes së vetvetes gjithashtu. I vetmi bisedim i bëshëm në zhvillime të tilla është referimi i disa parimeve të paluajtshme, si për shembull: Partitë që thërrasin mbështetësit në protesta nuk mund t’i lenë ata të derdhen pa drejtim, por t’u prijnë atyre. Partitë marrin përgjegjësi për zhvillimin paqësor dhe demokratik të protestave. Partitë e kapitalizojnë angazhimin e qytetarëve në protesta me përgjegjësi të lartë, në shërbim të ndryshimeve pozitive dhe jo për të nxjerrë kunja, inate dhe frustrime personale, mllefe të pjesshme.

Opozita e Lulzim Bashës ka vendosur që në krye të herës standardin e protestave paqësore dhe demokratike. Dhe nuk ka asnjë arsye të mos e vazhdojë këtë model në protestën e 16 shkurtit dhe në të tjera pas 16 shkurtit, duke provuar të fusë elementë të rinj në lidhje me kohëzgjatjen dhe dinamizmin e protestave për të arritur qëllimin e shpallur: dorëheqjen e qeverisë së Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzicioni. Kjo mund të arrihet vetëm me protesta demokratike. Dje ra në sy se tri ambasada shumë të rëndësishme, ajo e SHBA-ve, e BE-së dhe e Mbretërisë së Bashkuar lëshuan deklarata, në të cilat, pasi pohohej e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshime pozitive, u bëhej thirrje udhëheqësve të partive politike që do protestojnë të shtunën që të refuzojnë dhunën dhe të sigurojnë një tubim paqësor. “Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë”, thuhej në deklaratën e ambasadorit të BE-së, Soreca. Forca në politikë nuk është dhuna, por vendosmëria, qëndrueshmëria, argumenti, qartësia, besueshmëria. Mençuria dhe realizmi gjithashtu. Zhvillimet e brendshme nuk janë të shkëputura nga zhvillimet rajonale dhe nga përparësitë që kanë në këtë periudhë politikat e vendeve partnere, të SHBA-ve, Gjermanisë e tjerë në vendin tonë. Shqipëria po shkon drejt krijimit të SPAK-ut që ngrihet për të luftuar me ligj korrupsionin dhe krimin në sferat e larta, rrjedhimisht për çlirimin e institucioneve nga të korruptuarit e të inkriminuarit. SPAK dhe Gjykata Speciale janë dy institucione që do të provohen për herë të parë në Shqipëri. Protestat, debatet parlamentare, vota e lirë e qytetarëve kanë rëndësinë e tyre të jashtëzakonshme në rrafshin politik për shëndoshjen e sistemit politik dhe demokracisë në vend. SPAK dhe Gjykata Speciale janë jetike tani në rrafshin ligjor. Protestat nuk mund të dublojnë SPAK-un dhe SPAK nuk dublon zgjedhjet e lira. Shkojnë krah për krah. Dhe kështu duhen parë nga të gjithë.