Ballina Aktualitet Një kompani në garë për koncensionin e aeroportit të Kukësit

Një kompani në garë për koncensionin e aeroportit të Kukësit

Në përfundim të dorëzimit të ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik për dhënien me koncesion/ppp të Aeroportit të Kukësit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se ofertë për këtë procedurë ka paraqitur, një operator ekonomik. Bëhet fjalë për bashkimin e shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, e cila sipas MIE në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.

“Një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqerie/ekspertesh me përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik. Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve,” – thuhet në njoftimin e MIE, i cili ndër të tjera thekson se komisioni është duke vazhduar shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të paraqitur në formë elektronike.