Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 21 dhjetor në Himarë ku një i ri u gjend në rrugë i plagosur me thikë me prerje të thella në laring dhe ezofag.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se personi në fjalë është vetë-plagosur, në tentativë për t’i dhënë fund jetës në një zonë ku qarkullimi i qytetarëve është tepër i kufizuar.
Shtetasi Nelo Dokaj 26 vjeç me origjinë nga Trevllazëri i Vlorës dhe banues në Sarandë ishte diagnostikuar me herët me probleme të shëndetit mendor.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti gjithashtu ambalazhin e thikës me të cilën i riu ka kryer aktin ekstrem. Ky mjet prerës ishte blerë të njëjtën ditë në një dyqan.
Në pyetje është marrë shitësja e dyqanit, ku i riu ka blerë thikën e cila kujton disa detaje të bisedës me të.
“I vetëplagosuri i ka kërkuar një thikë për të prerë bukën, shitësja i ka treguar një thikë mesatare dhe e ka pyetur: “a të bën punë kjo”? (Thikë buke) ai i është kthyer “mirë është dhe kjo, më mbaron punë”.
Momentalisht i riu ndodhet në gjendje kome, te spitali i Traumës në Tiranë por me shenja jete.
Trupi i tij është gjetur në rrugën kryesore, ku nuk ka pasur kamera sigurie, në Qafën e Vishës e cila është maja më e lartë e zonës.
Mendohet se ai e ka arritur këtë vend duke ecur, apo me një automjet rasti.