Ngjarja që tronditi Durrësin/ Policia prangos të plagosurin në spital, në kërkim autori

96

Policia e Durrësit zbardh dhe dokumenton ngjarjen që tronditi mbrëmjen e kaluar Durrësin.

Si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, mbeti i plagosur Arbër Tivari.

Policia ka arrestuar 25-vjeçarin Arbër Tivarin, në spital, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4, ku mbeti i plagosur 1 shtetas.

Vihet në pranga 25-vjeçari i përfshirë në konflikt, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak.

Vijon puna intensive për kapjen e autorit të plagosjes së 25-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4, Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestua në flagrancë (në ambientet e spitalit), shtetasi A. T., 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 22.03.2021, rreth orës 19:20, në lagjen nr. 4, Durrës, pas një konflikti fizik të çastit dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, shtetasi A. B. ka plagosur me armë zjarri në krah, shtetasin A. T., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 armë të ftohtë (thikë), një kapuç në ngjyrë të zezë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasit A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit A. B., si dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve në banesë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në ngarkim të shtetasit A. T.