Ngjarja e rëndë në Elbasan, reagon Avokati i Popullit:”Partitë të dënojnë aktin!”

20

Avokati i Popullit ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Avokati i Popullit u bënë thirrje partive politike që të distancohen e të dënojnë fuqimisht çdo akt që çon në deformimin e votës si dhe çdo akt dhune.

Avokati i popullit:

Avokati i Popullit dënon ngjarjen e rëndë ndodhur ditën e sotme në qytetin e Elbasanit dhe bën thirrje për një fushatë të qetë, të matur e të fokusuar te respekti e kujdesi për jetën dhe dinjitetin e çdo qytetari.

Zgjedhjet janë një moment kur demokracia flet andaj fushata që u paraprin e i parapërgatit ato, meriton të jetë një vitrinë e qytetërimit, dialogut dhe kulturës.

Tensioni, dhuna e konfrontimet nuk vlejnë për kurrgjë më shumë sesa për ta larguar qytetarin nga shprehja e vullnetit apo për ta njollosur e deligjitimuar procesin zgjedhor. Avokati i Popullit u bën thirrje gjithë palëve, subjekteve garuese në zgjedhje e mbështetësve të tyre që të distancohen e të dënojnë fuqimisht çdo akt që çon në deformimin e votës si dhe çdo akt dhune. Nxitja e pasionit për fitore me çdo kusht lypset të këmbehet me nxitjen e pasionit për një demokraci të fituar përmes paqes e urtësisë.