Ngjarja e Plazhit të Durrësit mori një jetë, kapet i dyshuari

78

Bie në prangat e policisë një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Anxhelo Boçi, 27 vjeç, banues në Tiranë u ndalua për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Boçi dyshohet se është i përfshirë në ngjarjen e ndodhur më datë 18 shtator 2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës.

Në atë ngjarje, pas një konflikti të çastit me mjete të forta dhe më pas me armë zjarri mbetën të plagosur shtetasit Erald Gjini, 19 vjeç, Henri T., 23 vjeç dhe Armando Baboçi Gjini, 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të mara ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Kurse djali i tij 19-vjeçar Erald Gjini mori një plumb në dorë dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të datës 18 shtator 2020 në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar te plazhi Teuta, pas një konflikti të çastit me mjete të forta e më pas me armë zjarri midis disa personave.

Si shkak për sherrin është bërë një vështrim i padëshiruar.

“Pse më sheh”, është thënë nga njëra palë, duke bërë që pesë persona të sulen me sende të forta dhe armë, mbi babë e bir.

Si të dyshuar për ngjarjen, policia arrestoi Klodjan Daçin 20 vjeç, Henri Tatasin 23 vjeç dhe Sergio Tatasin 20 vjeç. Si të akuzuar për moskallëzim krimi janë arrestuar edhe Endri Cimo (Bengu) dhe Argit Kastrioti.

Klodjan Daci akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj babë e bir, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.

Të ndaluarit akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Moskallëzim krimi”.