Ngacmin seksual, drogë e vjedhje me dhunë, ja për çfarë akuzohen 5 të arrestuar në 24 orët e fundit

35
Foto ilustruese

Policia e Tiranës ka arrestuar 5 persona, për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga policia me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi Osman Aruçi, 68 vjeç, i cili është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po ashtu në pranga ka rënë shtetasi me inicialet A. K., 20 vjeç, pasi në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dorezë (përforcues grushti).

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 59 vjeç, me detyrë roje i një kompanie në Kashar, sepse gjatë natës persona të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi vlerash monetare të papërcaktuar, ku ky shtetas ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk ka njoftuar për vjedhjen. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: AD., 43 vjeç dhe R. D., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Më datë 10.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasit R. C., 25 vjeç, sepse ka kanosur nëpërmjet telefonit shtetasen M. B., 27 vjeçe, për shkak të mosshlyerjes së një borxhi. Kjo shtetase duke qënë në presion psikologjik, ka konsumuar një sasi të konsiderueshme medikamentesh, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Më datë 10.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin M. F., 73 vjeç, pasi në “Bulevardin Blu” Kamëz, ka kryer veprime dhe sjellje me natyrë seksuale, ndaj një shtetaseje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.