Ballina BOTA Neymar, festim me stil për 27-vjetorin e lindjes

Neymar, festim me stil për 27-vjetorin e lindjes

Neymar Jr. e festoi me stil 27-vjetorin e tij të lindjes. Futbollisti organizoi një festë të madhe në Paris, ku morën pjesë familja e tij, shokët e skuadrës së PSG-së dhe persona të famshëm.

Ngjarja u zhvillua në “Pavillion Gabriel”, që është pranë “Champs-Elysee”, ku të ftuar ishin mbi 500 persona, mes të cilëve edhe DJ Bob Sinclair, këngëtari brazilian Wesley Safadao dhe kampioni i botës në sërf, Gabriel Medina.

Festa e ditëlindjes së Neymarit ishte me temë “Nata e kuqe”, ku të gjithë të pranishmit duhej të kishin veshur diçka të kuqe. Neymar nuk bënte përjashtim, me brazilianin që përveç xhaketës, edhe patericat i kishte në këtë ngjyrë.

Urimet për sulmuesin nuk munguan nga shokët e tij të skuadrës, ndërkohë që Neymar, i cili është dëmtuar në këmbën e djathtë, shprehu dëshirën e tij.

“Për një sportist nuk është asnjëherë diçka e këndshme të mbajë paterica. Për këtë vit, si dhuratë dua një metatars të ri, që të kthehem të luaj sërish futboll”, tha braziliani, që do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për disa javë, gjë që do të thotë se ai nuk do të jetë në sfidën e Parisit me Manchester United, në 1/8-at e finaleve të Champions League.