Ballina Aktualitet Nesër protesta e opozitës, policia rrethon Kuvendin me gardh hekuri

Nesër protesta e opozitës, policia rrethon Kuvendin me gardh hekuri

Opozita do të protestojë sërish nesër gjatë kohës që do të mbahet seanca parlamentare. Protesta është parashikuar të nisë rreth orës 09:30 përpara Kuvendit.

Ndërkohë policia ka nisur të marrë masa, duke vendosur gardh hekuri nga hyrja e parlamentit deri tek Kalaja e Tiranës.

Ndryshe nga herën e kaluar është vendosur gardh hekuri dhe bazamentet janë forcuar me beton.

Pritet që nesër të jenë të angazhuar rreth 1500 forca policie.

Kujtojmë se në 16 mars opozita protestoi para Kryeministrisë dhe para Kuvendit. Protesta u tensionua pasi protestuesit çanë kordonin e policisë, ndërsa në drejtim të tyre u hodh gaz lotsjellës disa herë.

Me pankarta në duar “Rama ik” protestuesit rrethuan në mënyrë simbolike Kryeministrinë, ndërsa rrëzuan edhe disa nga barrierat metalike që rrethonin institucionin.

Qytetarë nga i gjithë vendi dhe simpatizantë të opozitës së bashkuar u mblodhën duke protestuar kundër qeverisë.