Ndryshon skema e përfitimit të “KEMPIT”/Ja cilat janë ndryshimet kryesore

68

Ka hyrë në fuqi ndryshimi i vlerësimit të dosjeve të paaftësisë. Në fillim dosjet do të vlerësohen nga një komision kombëtar e më pas do të nisen për vlerësim nga komisionet pranë Shërbimit Social Shtetëror. Gjithësej do të ngrihen 5 komisione kombëtare dhe 4 eprore.

Në përbërje të komisioneve që do të shqyrtojnë dosjet për sa i përket sëmundjeve të përgjithshme, verbërisë, sëmundjet e shëndetit mendor, paraplegjinë dhe tetraplegjinë do të jenë:

2 KMCAP të shëndetit mendor, që do të kenë në përbërje psikopediater dhe psikiatër

1  KMCAP  i  kirurgjisë, onkologjisë, ortopedisë  dhe  reumatologjisë,  që  do  të  ketë  në përbërje ortoped, onkolog dhe reumatolog

1 KMCAP për paraplegjinë, tetraplegjinë  dhe  neurologjinë,  që do të ketë në përbërje neurolog

1 KMCAP për sëmundje interne (nefrologji, kardiologji, gastroepatologji, endrokrinologji, hematologji, pneumoalergologji), që do të ketë në përbërje internist, kardiolog, nefrolog dhe pneumoalergolog

KMCAP e nivelit të parë do të vendosin për: për grupin e përfitimit, përfitimet dhe afatet e përfitimit. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Komisionin Epror Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Pranë  Shërbimit  Social  Shtetëror do të  ngrihen 4 komisione eprore, të cilat përbëhen nga 5 anëtarë  për  çdo  komision  dhe  që  zgjidhen në detyrë nga  ministri i Shëndetësisë. Komisionet eprore janë për të njëjtat grupime si komisionet e nivelit të parë.

Sa pagesë do të merret nga personat që përfitojnë?

Pagesa e paaftësisë në punë në muaj është 10,653 lekë. Të njëjtën shumë përfiton edhe ai që ndihmon apo kujdeset për personin. Ky përfitim indeksohet çdo vit.

Personat që gjatë kohës që janë në paaftësi bëjnë edhe një kurs kualifikimi përfitojnë 200 përqind pagesën e paaftësisë. Ata që ndjekin arsimin e lartë 3 fishin (përfshi ata që studiojnë për doktoraturën, për një titull akademik).

Personat që ndjekin kurs kualifikimi dhe arsim përfitojnë vetëm njërën prej pagesave. Ndihmësit që kujdesen për më shumë se një persona marrin 50 përqind të shumave të shtuara për çdo person që ndihmojnë.

Pagesa hiqet , kur:

1.Personi refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara.

2.Dokumentacioni për rivlerësim nuk paraqitet sipas afateve të përcaktuara në rregulloret  e organizimit, të të drejtave, detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit.

3.Kur personi nuk paraqitet në komisionin epror dy herë radhazi dhe refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara/mjekimin e rekomanduar/ marrjen e shërbimit të rekomanduar.

4.Kur personi nuk është rezident në Shqipëri.

5.Kur personi ndodhet jashtë shtetit prej 3 muajsh jo për arsye shëndetësore.

Sipas ndryshimeve do të shtohet një kategori e përfituesve, ajo e personave të  cilët  në  5  vitet  e fundit  para lindjes  të  së drejtës nuk kanë 12 muaj sigurim shoqëror dhe nuk kanë qenë përfitues të pagesës më parë.