Ballina Showbiz Ndryshimet ligjore, synohet nxitja e interesit për librin

Ndryshimet ligjore, synohet nxitja e interesit për librin

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit në fushën e librit, si dhe duke marrë shkas nga rënia e theksuar e interesit për librin dhe nevoja për nxitjen e kulturës së leximit, Ministria e Kulturës paraqet për konsultim publik draftin paraprak të ndryshimeve në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.

Ndryshimet e ligjit në fjalë synojnë të ndryshojnë situatën në vend lidhur me librin dhe leximin, krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve financiare dhe shtimin e burimeve njerëzore në dispozicion për fushën e librit, përmirësimin e klimës së botimeve në vend, lehtësimin e librit si produkt intelektual nga tatimi mbi vlerën e shtuar, si dhe ofrimi i mundësive dhe shanseve të barabarta për të gjithë komunitetin e botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe studiuesve.

Gjithashtu, në draftin e paraqitur shprehet vullneti për të lehtësuar Bibliotekën Kombëtare dhe rrjetin e bibliotekave publike në Shqipëri nga procedura e prokurimit, në ato raste kur bëhet fjalë për blerjen e librave dhe materialeve të një rëndësie të veçantë që hyjnë në kategorinë e fondeve të rralla.

Projektligji është përgatitur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me grupet e interesit në fushën e librit.

Duke vlerësuar të domosdoshëm kontributin e të gjithë aktorëve të fushës, Ministria e Kulturës vë në dispozicion draftin e propozuar për të siguruar në këtë mënyrë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar që do të miratohet.