Ballina Aktualitet Ndizet Shqipëria/ Flakë dhe përleshje për të ndalur zgjedhjet

Ndizet Shqipëria/ Flakë dhe përleshje për të ndalur zgjedhjet

Pas Tropojës, Shkodrës e Lezhës ditën e djeshme, bashkitë që drejtohen nga opozita kanë hyrë në veprime konkrete për të zbatuar dekretin e Presidentit për anulimin e 30 qershorit si datë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Sot, situata ka qenë e ndezur, me përplasje të vazhdueshme në Burrel, Kukës, Kavajë, Kamëz, Berat, Pogradec, Bilisht, Lezhë e Gjirokastër.

Situata më te tensionuar ka qenë në Burrel dhe Kukës.

Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ 16, për lirimin e ambienteve zgjedhore.

Si rrjedhojë e përplasjes së dhunshme pati disa të lënduar. Për pak kohë, policia hyri në ambientet e KZAZ dhe arriti të shpërndajë qytetarët duke lëshuar gaz lotsjellës.

Përplasja ka qenë fizike, ku janë përdorur edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta. Bëhet me dije se ka pasur të plagosur si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e policisë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit.

Por, zyrtarët e Bashkisë kanë ndërhyrë në Burrel duke nxjerrë jashtë materialet zgjedhore si dhe duke zbatuar dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rezistencës së bërë nga policia.

Në ndihmë atyre i kanë ardhur edhe një grup i madh qytetarësh.

Edhe në Kukës pati përplasje të ashpra.

Në vendngjarje kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që kanë lëshuar gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, që janë përpjekur të thyejnë derën e godinës ku është vendosur Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor.

Ndërkaq, lidhur me situatën ka reaguar edhe kryebashkiaku, Bashkim Shehu, i cili i ka kërkuar Policisë të mbështesë Bashkinë, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje. Nuk u desh shumë dhe hyrjes së kësaj KZAZ-je iu vu flaka.

Në Kavajë, tensionet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, ku dhjetra simpatizantë të PD kanë protestuar për lirimin e qëndrave të KAZA pranë shkollës ‘Tre Dëhsnmorët’.

Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Hysen Kadiu, i ka dhënë ultimatum policisë që deri në orën 16:00 të lirojë ambientet e KZAZ-ve. “Ju lëmë afat deri në orën 16:00. Nëse i mbroni dot, hallall ju qoftë”,ka thënë ai.

Një prej vatrave më të nxehta të përplasjeve ka qenë Bashkia e Kamzës, ku me dhjetra qytetarë janë grumbulluar sot përpara gjimnazit “Ibrahim Rrugova”. Gjatë përplasjeve mes forcave policore dhe përkrahësve të kryebashkiakut demokrat, Xhelal Mziu, raportohet se një efektiv ka humbur ndjenjat në ambientet e KZAZ-së dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Tension ka pasur edhe në Berat, konkretisht në KZAZ Nr.64 në këtë qytet, pas kërkesës së kryetarit të bashkisë për lirimin e ambjenteve në zbatim të dekretit të presidentit të Republikës.

Policia e Beratit, e cila ka formuar kordon pranë KZAZ, po pengon përfaqësues e mbështetës të opozitës të hyjnë në ambjentet e KZAZ –së.

Përplasje janë shënuar ndërsa mbështetës të opozitës kanë tentuar të thyejnë kordonin e policisë për të hyrë brenda ambjenteve të KZAZ nr. 64, e cila ndodhet brenda ambjenteve të Pallatit të Kulturës në Berat. Në krye të protestuesve është i derguari i kryesisë së PD-së për Qarkun e Beratit dhe njëkohëshisht anëtar i kryesisë së PDsë, Eno Bozdo. Në mbështetje të forcave të Rendit, në Berat kanë zbarkuar edhe punonjës të FNSH.Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së 67 dhe drejtuesve të policisë.

Klevis Balliu ndodhet në Pogradec, ndërsa ka deklaruar se “kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ-ja. Eshtë shkelje ligji. Nuk ka zgjedhje deri ne vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet. Nuk është legjitime” deklaroi ai.

Edhe në Bilisht militantët kanë tentuar të futen me forcë në KZAZ, për të dëmtuar materialet zgjedhore.

Ndërkohë, mëngjesin e së martës u sulmua KZAZ nr. 9 në Tropojë. Punonjësit e bashkisë së drejtuar nga përfaqësuesi i PD-së, Besnik Dushaj dhe militantët kanë shqyer derën e KZAZ-së që është vendosur te muzeu i qytetit, ndërsa më pas kanë marrë materialet zgjedhore, vendvotimet duke i hedhur në rrugë duke i shkatërruar plotësisht. Në orët e pasdites u lajmërua se 13 persona u shoqëruan në komisariat ndërsa kanë nisur procedurat e procedimit penal për dëmtim të materialeve zgjedhore.

Në mbrëmje, i njëjti skenar është përsëritur në Shkodër. Përfaqësues të bashkisë dhe mbështetës të PD-së në prani të ish-deputetit Bardh Spahia kanë sulmuar fillimisht pallatin e Sportit ku ndodhet KZAZ-ja numër 2 dhe më pas kanë shkuar në shkollën “Shenjaze Juka” ku ndodheshin materialet zgjedhore e KZAZ 3.

Protestuesit janë përplasur me policinë dhe më pas kanë hedhur molotov te njëra nga dritaret. Mësohet se janë dëmtuar një pjesë e materialeve zgjedhore që ndodheshin aty. Flakët kanë përfshirë katin e parë të shkollës duke djegur dy klasa. Përplasjet kanë vijuar për disa momente dhe është dashur ndërhyrja e policisë dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar situatën e tensionuar.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi tha se po bën gjithçka për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia tha pas incidentit se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme përballë një qeveria e cila sipas tij është kapur në flagrancë duke vjedhur votën.

Për këtë situatë ka folur ditën e djeshme edhe Ilir Meta. Presidenti njoftoi mbrëmë se vlerëson të gjitha këto bashki që sipas tij po zbatojnë ligjin, pas dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Përmes një reagimi nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thuhet se Meta po mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provojnë tensione artificiale. Kujtojmë se mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj, njoftoi dje se do të çojë para drejtësisë të gjithë kryebashkiakët që po tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor.