Ndërtime pa leje në bregdet, arrestohen dy inspektorë, në kërkim dy të tjerë

86

Policia prangosi dy inspektorë të IMT në Himarë dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.

Zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre, lidhur me ndërtimet pa leje në Himarë.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disajavore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, dhe bëri ndalimin e shtetasve:

R.H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;

E.Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

M.N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.