Ballina Aktualitet Ndërron jetë Kiço Blushi, një prej intelektualëve më të njohur shqiptarë

Ndërron jetë Kiço Blushi, një prej intelektualëve më të njohur shqiptarë

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 75-vjeçare shkrimtari, publicisti dhe skenaristi i njohur Kiço Blushi.

Kiço Blushi, lindi në qytetin e Korçës më 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Kiço Blushi ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Më 20 shkurt të vitit 1991 ai u thirr që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.
Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive.

Kiço Blushi mbahet mend si një intelektual i pa kompromis me të keqen dhe politikën e mbrapshtë shqiptare.

Ceremonia e varrimit zhvillohet sot në ora 14.00 (e shtunë), nisja bëhet nga shtëpia e tij pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.