Ballina BOTA NATO, sekretari Stoltenberg: Rusia të lirojë anijet dhe marinarët ukrainas

NATO, sekretari Stoltenberg: Rusia të lirojë anijet dhe marinarët ukrainas

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO), Jens Stoltenberg përsëriti thirrjen ndaj autoriteteve ruse për të liruar anijet dhe marinarët e kapur të Ukrainës.

Në prag të fillimit të takimit dy ditorë të shefave të diplomacisë të vendeve anëtare të NATO-s, sekretari i organizatës Stoltenberg iu drejtua gazetarëve në Bruksel dhe e akuzoi Rusinë për provokimin e një destabilizimi të ri në rajon.

Ai tha se temat kryesore në takimin ministror do të jenë tensionet në marrëdhëniet ruso-ukrainase, marrëveshja bërthamore ruso-amerikane dhe situata në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Afganistan dhe Ballkanin Perëndimor.

“NATO i bën thirrje Rusisë që urgjentisht të lirojë anijet dhe marinarët ukrainas,” – tha Stoltenberg.

Ai i bëri gjithashtu thirrje Rusisë të respektojë marrëveshjen bërthamore të INF-së dhe shprehu shqetësim rreth zhvillimit të sistemeve raketore me rreze të mesme nga ana e Rusisë.