Ballina Aktualitet NATO, 10-vjetori i anëtarësimit, Meta dhe Rama theksojnë rëndësinë e stabilitetit në...

NATO, 10-vjetori i anëtarësimit, Meta dhe Rama theksojnë rëndësinë e stabilitetit në rajon (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi vendosmërinë dhe përkushtimin e Shqipërisë për të qenë pjesë e NATO, ndërsa e konsideroi si domosdoshmëri integrimin edhe të Kosovës në këtë aleancë. Deklaratën e tij, kryeministri Rama e bëri gjatë cermonisë në Sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, me rastin e 10-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

“Gjej rastin të falënderoj aleatët më të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë, që 10 vjet më parë vendosën të besojnë tek aftësia e Shqipërisë për të qenë aleat i përgjegjshëm dhe kontributor i çmuar,” – tha kryeministri Rama.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta, njëkohësisht edhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka vënë në dukje se “shtrirja e NATO drejt rajonit tonë, ka forcuar, si asnjëherë, sigurinë në aksin adriatiko-jonian, ka zgjeruar perimetrin e sigurisë së aleancës dhe ka ofruar një garanci të pazëvendësueshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan.”

Presidenti i Republikës ka theksuar më tej se “jemi të gatshëm të ndajmë me aleancën çdo përgjegjësi që do të na kërkohet edhe në të ardhmen.” “Të mos harrojmë se kontributi më madhor dhe i pazëvendësueshëm që Shqipëria mund dhe duhet të japë është pikërisht si faktor i qëndrueshëm stabilizimi, bashkëpunimi dhe integrimi në rajonin tonë, përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme,” – ka vijuar më tek kreu i shtetit.

Më pas, ceremonia ka vijuar me paradën e rastit të efektivave të Forcave të Armatosura.